Reuters: Protesta masive kundër korrupsionit tronditin qeverinë e Ramës

Data

Mijëra qytetarë u mblodhën të martën në mbrëmje në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, për të protestuar kundër qeverisë dhe për të kërkuar dorëheqjen e zëvendëskryeministres, mes dyshimeve për korrupsion. Gjatë protestës pati përplasje mes demonstruesve dhe forcave të policisë.

Sipas agjencisë Reuters, një pjesë e protestuesve hodhën bomba molotov në drejtim të një godine qeveritare, ndërsa policia u kundërpërgjigj duke përdorur topa uji për të shpërndarë turmën. Këto zhvillime shënojnë protestat më të fundit të dhunshme, të cilat përbëjnë një sfidë serioze për stabilitetin e qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet në pushtet që prej vitit 2013.

Tensionet politike në vend janë rritur që nga dhjetori, pasi Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për ndërhyrje të dyshuara në tenderë publikë dhe favorizim të kompanive të caktuara në projekte madhore infrastrukturore. Balluku i ka mohuar akuzat.

Gjatë protestës, demonstruesit mbanin flamuj dhe pankarta dhe brohorisnin slogane kundër qeverisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe shpalljen e përgjegjësisë politike për korrupsionin. Ndërkohë, forca speciale të policisë, të pajisura për përballimin e trazirave, ruanin institucionet qeveritare.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që parlamenti t’i heqë imunitetin zëvendëskryeministres për të hapur rrugën e arrestimit të saj. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse dhe kur parlamenti, ku shumicën e mban partia në pushtet, do ta shqyrtojë këtë kërkesë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related