Situata është tensionuar në një krah të godinës së Kryeministrisë gjatë protestës së Partisë Demokratike, ku një grup protestuesish kanë tentuar të thyejnë me dhunë kordonin e sigurisë të vendosur nga policia.
Protestuesit kanë shkundur dhe hequr kangjellat metalike rrethuese, duke u përpjekur të depërtojnë përtej perimetrit të sigurisë. Pavarësisht ndërhyrjes së policisë për shpërndarjen e turmës me përdorimin e ujit, protestuesit kanë vijuar rezistencën dhe janë kundërpërgjigjur në mënyrë agresive.
Gjatë përplasjes, janë hedhur sende të forta në drejtim të efektivëve të policisë, duke rritur rrezikun për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës. Forcat e rendit kanë forcuar praninë në zonë për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të mbrojtur godinën institucionale.
Autoritetet vijojnë monitorimin e zhvillimeve, ndërsa u bëhet thirrje protestuesve të shmangin aktet e dhunës dhe të respektojnë masat e sigurisë publike.
