Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, është liruar nga Dhomat e Specializuara në Hagë dhe ka mbërritur sot në Kosovë. Lajmi është konfirmuar nga familjarët e tij, ndërsa djali i Shalës ka ndarë një mesazh në rrjetet sociale: “Mirë se erdhe në atdhe, babë”.
Më 4 shkurt 2025, Shala ishte dënuar me tre vite burg, dënim që përfshinte edhe kohën e kaluar në paraburgim. Në të njëjtën çështje gjyqësore, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u dënuan me nga dy vite burg secili.
Procesi ndaj tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së kishte nisur në vitin 2024, por u shoqërua me shtyrje për shkak të negociatave për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë. Në dhjetor 2024, të tre të pandehurit pranuan fajësinë dhe shprehën pendesë, çka u mor parasysh nga trupi gjykues në dhënien e vendimit.
Me përfundimin e dënimit dhe lirimin nga paraburgimi, Haxhi Shala është rikthyer në Kosovë, ku pritet të takohet me familjarë dhe mbështetës.
