Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe zv/kryeministren Belinda Balluku se po dëmtojnë rëndë procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke mos njohur dhe respektuar drejtësinë.
Gjatë fjalës së tij në protestë, Berisha u shpreh se qeveria aktuale ka humbur çdo legjitimitet moral dhe politik, ndërsa po përpiqet të mbrojë veten nga hetimet për korrupsion. Sipas tij, mbledhja e fundit e Grupit Parlamentar të PS ka qenë një mesazh i hapur kundër drejtësisë dhe institucioneve të pavarura.
Berisha theksoi se ndërhyrjet politike për të penguar hetimet dhe për të mbrojtur zyrtarë të akuzuar po i mbyllin Shqipërisë dyert e Bashkimit Evropian. Ai u bëri thirrje qytetarëve të reagojnë përmes protestave, duke e cilësuar reagimin qytetar si të ligjshëm dhe të domosdoshëm për të mbrojtur demokracinë dhe të ardhmen europiane të vendit.
Sipas tij, vetëm respektimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve mund ta rikthejnë Shqipërinë në rrugën e integrimit dhe të rikthejnë besimin e qytetarëve te shteti.
