Juristi Marash Logu ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, duke theksuar se nxitimi i kryeministrit Edi Rama për të ndërhyrë në ligj lidhet drejtpërdrejt me frikën nga arsyetimi i plotë i këtij vendimi.
Sipas Logut, edhe pse Gjykata Kushtetuese ka publikuar vetëm një njoftim minimalist, konkluzionet që dalin prej tij janë shumë të qarta dhe rrëzojnë pretendimet kryesore të qeverisë. Ai nënvizoi se të tetë gjyqtarët e Kushtetueses kanë qenë unanimë në një pikë thelbësore: pezullimi nga detyra nuk mbrohet nga imuniteti kushtetues, as për ministrat dhe as për deputetët.
“Pretendimi i Edi Ramës se imuniteti kushtetues e mbron ministrin nga pezullimi është rrëzuar. Të gjithë gjyqtarët kanë rënë dakord që ministrat mund të pezullohen. Debati ka qenë vetëm për formën, nëse duhet apo jo autorizim nga Kuvendi”, u shpreh Logu.
Ai shtoi se edhe në interpretimin më të favorshëm për qeverinë, Gjykata nuk ka pranuar se është cenuar kompetenca e kryeministrit. Sipas tij, në rastin ekstrem, mund të flitet vetëm për një debat mbi kompetencat e Kuvendit, por jo për shkelje të rolit të kryeministrit.
Logu theksoi se pikërisht këto konkluzione e kanë shtyrë Ramën të paralajmërojë ndryshime ligjore, përpara se të publikohet arsyetimi i plotë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. “Ky nxitim tregon frikë politike dhe juridike, sepse vendimi i arsyetuar do ta bëjë edhe më të qartë se ministrat nuk janë të paprekshëm”, tha ai.
Sipas juristit, çdo përpjekje për të ndryshuar ligjin për të mbrojtur funksionarë të caktuar bie ndesh me frymën e vendimit të Kushtetueses dhe me parimin e barazisë para ligjit.
