Kapri: Vendimi i Kushtetueses i mbylli karrierën Ballukut, beteja tani është për fatin e Ramës

Data

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, duke e cilësuar atë si fundin e karrierës së saj politike dhe fillimin e një përballjeje direkte mes kryeministrit Edi Rama dhe drejtësisë.

I ftuar në një studio televizive, Kapri u shpreh se vendimi i Kushtetueses ka ndryshuar tërësisht ekuilibrat politikë. Sipas tij, Balluku tashmë është jashtë loje politikisht, ndërsa beteja është zhvendosur te vetë kryeministri.

“Balluku e ka mbyllur karrierën politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Tani nuk diskutohet më për të, por për fatin politik të Edi Ramës”, deklaroi Kapri.

Ai shtoi se kryeministri po përdor çdo mjet për t’u mbrojtur nga drejtësia, pasi rrezikohet drejtpërdrejt e ardhmja e tij politike. Sipas Kaprit, përplasja aktuale ka për qëllim që në të ardhmen gjykatat të mos guxojnë të kërkojnë masa ndaj anëtarëve të qeverisë.

“Rama po luan çdo gur në betejën e tij me drejtësinë. Kjo nuk është më çështje Balluku, por një përpjekje për të frenuar drejtësinë që nesër të mos prekë anëtarë të tjerë të qeverisë”, theksoi ai.

Duke komentuar paralajmërimet për ndryshime ligjore, Kapri u shpreh se çdo ndërhyrje në Kodin Penal do të ishte e pavlefshme dhe e pazbatueshme. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar qartë se edhe ministrat, ashtu si çdo funksionar tjetër, i nënshtrohen ligjit.

“Nëse gjykata vlerëson se një ministër apo edhe kryeministri mund të ndikojë në hetime ose të cenojë provat, pezullimi nga detyra është i ligjshëm. Kjo është e përcaktuar qartë nga Kushtetuta”, u shpreh Kapri.

Ai përfundoi duke theksuar se edhe nëse mazhoranca miraton ndryshime ligjore, ato nuk do të kenë efekt praktik. “Edhe nëse votohet një Kod Penal i ri, ai mbetet i pazbatueshëm, sepse Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se Gjykata Speciale mund të pezullojë nga detyra këdo, përfshirë edhe kryeministrin”, tha Kapri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related