Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila me votim 4 me 4 rrëzoi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për shpalljen antikushtetuese të vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.
Në një konferencë për shtyp nga selia blu, Berisha deklaroi se ky rezultat dëshmon nivelin ekstrem të presionit politik mbi Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar vendimin si pasojë direkte të ndërhyrjes së kryeministrit.
Sipas Berishës, katër gjyqtarë kanë votuar në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën, duke iu bindur diktatit politik të Ramës. Ai theksoi se, ndonëse pezullimi i Ballukut mbeti në fuqi, Gjykata Kushtetuese “pezulloi vetveten” me një akt që e cilësoi të rëndë dhe skandaloz.
“Probabilistët thonë se një votim i tillë ka gjasa të ndodhë një herë në 500 raste, ndërsa këtu ndodh pothuajse çdo herë. Kjo tregon sa i tmerrshëm është ndikimi politik mbi gjykatën”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se vendimi nuk duhej të ishte rezultat i një ndarjeje 4 me 4, por i një qëndrimi unanim në respekt të ligjit dhe Kushtetutës, duke e konsideruar këtë situatë si provë të paralizës së Gjykatës Kushtetuese nën trysninë e ekzekutivit.
Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin se ka kërcënuar hapur prokurorinë dhe gjyqësorin, duke u zotuar publikisht se do të mbrojë deri në fund veten dhe Belinda Ballukun.
“Edi Rama kërcënoi në mënyrën më të paskrupullt drejtësinë dhe u zotua se do ta mbrojë deri në pikën e fundit veten dhe Lubinë”, përfundoi Berisha.
