Përleshje në Milano për Lojërat Olimpike, Meloni: Protestuesit janë armiq të Italisë

Data

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ashpër pas demonstratave dhe përleshjeve të ndodhura më 7 shkurt në Milano, gjatë protestave kundër zhvillimit të Lojërave Olimpike Dimërore.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Meloni i cilësoi protestuesit si “armiq të Italisë”, duke i akuzuar për përplasje të dhunshme me policinë dhe për sabotim të infrastrukturës hekurudhore. Sipas saj, këto veprime synojnë të dëmtojnë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Ajo theksoi se mijëra italianë janë angazhuar për mbarëvajtjen e Lojërave Olimpike, shumë prej tyre si vullnetarë, për të siguruar që Italia të paraqitet në mënyrën më të mirë përpara botës.

“Mijëra italianë po punojnë pa u lodhur që gjithçka të shkojë mirë gjatë Lojërave Olimpike. Shumë prej tyre janë vullnetarë që duan që vendi i tyre të admirohet dhe të respektohet. Ndërkohë, disa po demonstrojnë kundër Lojërave, duke e çuar imazhin e Italisë në televizionet e gjithë botës”, shkroi Meloni.

Kryeministrja shtoi se disa prej protestuesve kanë prerë kabllo hekurudhore për të penguar qarkullimin e trenave, duke e cilësuar këtë një akt kriminal të rëndë.

“Solidaritet me policinë, me qytetin e Milanos dhe me të gjithë ata që shohin punën e tyre të shkatërrohet nga banda kriminelësh”, përfundoi ajo.

Deklaratat e Melonit kanë shkaktuar debat të fortë në opinionin publik italian, mes mbështetësve të qëndrimit të saj dhe kritikëve që e konsiderojnë reagimin tepër të ashpër.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related