Skandal i ri në diplomacinë norvegjeze, dorëhiqet ambasadorja pas lidhjeve me Epstein

Data

Një tjetër tronditje ka goditur diplomacinë norvegjeze, pas dorëheqjes së ambasadores së Norvegjisë në Jordani, Mona Juul, e përfshirë indirekt në skandalin Jeffrey Epstein.

Dorëheqja vjen pasi u zbulua se familjarë të saj kishin përfituar shuma të mëdha parash nga Jeffrey Epstein, financieri amerikan i dënuar për krime seksuale, i cili u gjet i vdekur në burg në vitin 2019.

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, e cilësoi largimin e Juul si një vendim të drejtë dhe të domosdoshëm, duke theksuar se kontaktet e saj me Epstein përbënin “një gabim serioz në gjykim”. Vendimi, sipas tij, u mor pas konsultimeve të brendshme në Ministrinë e Jashtme.

Sipas mediave norvegjeze, Epstein kishte transferuar rreth 10 milionë dollarë te dy fëmijët e Juul dhe bashkëshortit të saj, Terje Rød-Larsen, diplomat i njohur që kishte luajtur rol kyç në negociatat për Marrëveshjet e Oslos mes Izraelit dhe Palestinës.

Ministria e Jashtme norvegjeze ka bërë të ditur se hetimet për shtrirjen e marrëdhënieve dhe transaksioneve financiare janë ende në vijim dhe se kontaktet me ish-ambasadoren do të vazhdojnë në kuadër të këtij procesi.

Në një deklaratë të dhënë nga avokati i saj, Thomas Skjelbred, thuhet se Juul vendosi të japë dorëheqjen sepse situata aktuale e pengonte të ushtronte detyrën në mënyrë të përgjegjshme dhe kishte krijuar stres të madh për të dhe familjen e saj.

Skandali Epstein ka përfshirë gjithnjë e më shumë rrethet politike dhe institucionale të Norvegjisë. Mes emrave të përmendur janë edhe Børge Brende, si dhe ish-kryeministri Thorbjørn Jagland, ndaj të cilit po zhvillohet një hetim për korrupsion.

Ndërkohë, edhe Mette-Marit, princesha e Norvegjisë dhe bashkëshortja e trashëgimtarit të fronit, ka reaguar publikisht, duke deklaruar se “pendohet thellësisht” për marrëdhënien e saj të mëparshme me Epstein, emri i së cilës shfaqet në mijëra faqe dokumentesh të publikuara nga autoritetet amerikane.

Skandali vazhdon të prodhojë pasoja serioze politike dhe diplomatike, duke vënë në pikëpyetje standardet etike dhe transparencën në nivelet më të larta të diplomacisë ndërkombëtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related