Një tentativë grabitjeje gjatë orëve të para të mëngjesit ka përfunduar me arrestimin e një shtetasi shqiptar në Itali. Ngjarja u regjistrua rreth orës 04:30 të datës 7 shkurt, në qytetin Rovato, ku karabinierët ndërhynë në kohë duke parandaluar vjedhjen e një picerie.
Gjatë patrullimit në rrugën “Via Galdina”, efektivët vunë re një burrë të veshur tërësisht me të zeza dhe me fytyrë të mbuluar, i cili po përpiqej të hapte me forcë derën kryesore të picerisë “Amici”. Sapo konstatoi praninë e policisë, i dyshuari tentoi të largohej me vrap, por u ndalua pas një ndjekjeje të shkurtër.
Gjatë kontrollit personal, karabinierët gjetën dhe sekuestruan një mjet metalik, i përdorur për thyerjen e derës. Identifikimi i mëvonshëm bëri të ditur se bëhej fjalë për B. E., 32 vjeç, shtetas shqiptar me banim në Këln të Gjermanisë, i njohur më parë për precedentë penalë.
Sipas autoriteteve italiane, arrestimi u bë i mundur edhe falë njoftimit të menjëhershëm të pronarit të picerisë dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, të cilat regjistruan momentin kur i dyshuari po përpiqej të hynte në ambientet e lokalit.
32-vjeçari u arrestua me akuzën e tentativës së grabitjes dhe u vu në dispozicion të autoriteteve gjyqësore për veprime të mëtejshme procedurale.
