Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku. Në podkastin e tij “Flasim”, Rama e cilësoi vendimin si një precedent të rrezikshëm, duke theksuar se krijon një anomali serioze në ndarjen e pushteteve.
Sipas kryeministrit, mosvendimmarrja e Kushtetueses hap rrugën që përmes të njëjtës logjikë të pezullohen nga detyra edhe figura të tjera të larta shtetërore, përfshirë Presidentin e Republikës. Ai tha se një prokuror dhe një gjyqtar, në një seancë paraprake, nuk mund të kenë fuqinë për të bllokuar funksionimin e ekzekutivit.
Rama e quajti këtë praktikë të paprecedentë në botën demokratike dhe deklaroi se Shqipëria rrezikon të kthehet në një rast unik negativ për mënyrën se si po zbatohet drejtësia. Ai shtoi se Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe se masa e pezullimit është marrë pa nisur ende gjykimi.
Në fund, kryeministri u shpreh se kjo betejë institucionale do të vijojë dhe se, sipas tij, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian ka vetëm një garant: shumicën qeverisëse dhe drejtimin e tij politik.
