Avokati Kujtim Ibraj ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e qeverisë dhe la në fuqi pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku.
I ftuar në një studio televizive, Ibraj u shpreh se çështja e imunitetit të Ballukut është praktikisht e mbyllur në Parlament dhe se nuk do të ketë asnjë votim për heqjen e tij. Sipas tij, mazhoranca ka ngritur një “barrikadë politike” që e bën të pamundur çdo vendimmarrje parlamentare në këtë drejtim.
“Belinda Ballukut nuk do t’i hiqet imuniteti në Parlament. Kjo çështje është mbyllur. Deputetët e Partisë Socialiste nuk do të votojnë kurrë për heqjen e imunitetit të saj”, tha avokati.
Ibraj theksoi se, në kushtet aktuale ligjore, zgjidhja e vetme mbetet Gjykata e Strasburgut. Sipas tij, juridikisht nuk ka më rrugë tjetër brenda vendit për sa kohë ligjet nuk ndryshohen.
Ai nënvizoi se pas reformës në drejtësi janë krijuar vakume të mëdha ligjore, veçanërisht sa i përket kompetencave të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme. Për këtë arsye, kërkoi ndërhyrje të menjëhershme në Kodin e Procedurës Penale dhe ndryshime konkrete në disa nene, përfshirë nenin 242 pika 2.
Sipas avokatit, këto ndryshime janë të domosdoshme për të shmangur atë që ai e cilësoi si “superfuqi absolute” të prokurorisë apo gjykatës, një situatë që sipas tij duhet të balancohet me ligj.
“Me këto ligje që kemi sot, zgjidhje tjetër juridike nuk ka. Ose ndryshohen ligjet, ose çështja përfundon në Strasburg”, përfundoi Ibraj.
