A mund të pezullohet kryeministri? Gazetari: Gjykatat tashmë kanë pushtet mbi politikën

Data

Gazetari Arbër Hitaj ka deklaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që la në fuqi pezullimin e ministres Belinda Balluku, ka krijuar një precedent të fortë juridik, i cili sipas tij mund të çojë deri në pezullimin e kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë.

I ftuar në një studio televizive, Hitaj theksoi se, pavarësisht interpretimeve se Kushtetuesja “nuk mbajti qëndrim”, në realitet vendimi i saj është një konfirmim i plotë i kompetencave të GJKKO-së dhe SPAK-ut.

“Për mua është 8 me 0 në favor të GJKKO-së dhe SPAK-ut. Gjykata Kushtetuese, duke mos e rrëzuar vendimin, i ka dhënë qartazi të drejtë drejtësisë speciale,” u shpreh ai.

Sipas Hitajt, që nga ky moment, çdo prokuror i SPAK-ut mund t’i drejtohet GJKKO-së për pezullimin e një ministri apo edhe të kryeministrit, pa pasur nevojë për autorizim politik apo parlamentar.

“Praktikisht sot i është hequr imuniteti çdo ministri. Nga sot mund të pezullohen të gjithë ministrat, madje edhe kryeministri. Nuk ka më kufij të qartë,” deklaroi gazetari.

Ai e cilësoi situatën si një “udhëkryq të rrezikshëm institucional”, duke argumentuar se pushteti gjyqësor është mbivendosur mbi pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ.

“Gjykatat sot janë mbi politikën. Nesër, nëse duan, mund të rrëzojnë një qeveri. Nuk ka më një mekanizëm që t’i ndalojë,” tha Hitaj.

Megjithatë, ai shtroi edhe një pyetje thelbësore për të ardhmen: nëse korrupsioni vazhdon, kush do të mbajë përgjegjësi?

“Nëse për katër vite korrupsioni nuk ulet, a duhet të japin llogari edhe ata që sot kanë gjithë këtë pushtet? Tani përgjegjësia e tyre është shumë më e madhe se më parë. Kufiri i vetëm që kanë është morali dhe ndërgjegjja personale. Por a mjafton kjo?” u shpreh ai.

Sipas gazetarit, vendimi i Kushtetueses ka ndryshuar balancat e pushteteve në Shqipëri dhe ka hapur një fazë të re, ku drejtësia ka fuqinë më të madhe që ka pasur ndonjëherë mbi politikën.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related