Berisha: Rama kërkon të ulë bashkitë në 36, opozita do paraqesë projektin e saj

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se përmes reformës territoriale synon të reduktojë ndjeshëm numrin e bashkive në vend, nga 62 që janë aktualisht në vetëm 36.

Sipas Berishës, ky projekt nuk ka si qëllim zhvillimin lokal, por përshpejtimin e shpopullimit, veçanërisht të zonave periferike dhe rurale. Ai u shpreh se Rama nuk pranon asnjë propozim tjetër përveç atij të hartuar nga vetë qeveria, duke e cilësuar reformën si të njëanshme dhe të dëmshme për interesat e qytetarëve.

Berisha theksoi se zvogëlimi i numrit të bashkive do të çonte në dobësimin e komuniteteve lokale dhe në përqendrimin e pushtetit, duke e bërë më të vështirë aksesin e qytetarëve ndaj shërbimeve publike.

Në këtë kuadër, ai bëri të ditur se Partia Demokratike do të angazhohet në hartimin e një projekti alternativ, në bashkëpunim me ekspertë shqiptarë të fushës. Sipas tij, projekti i opozitës do të mbështetet në modele funksionale europiane dhe do të ketë në fokus zhvillimin e komuniteteve dhe interesin e qytetarëve.

Berisha solli si shembull Sllovakinë, e cila sipas tij, ndonëse ka një popullsi të krahasueshme me Shqipërinë dhe është më e zhvilluar ekonomikisht, funksionon me mbi 200 komuna dhe bashki. Ai deklaroi se propozimi i opozitës do të paraqitet zyrtarisht në Komisionin Parlamentar të Reformës Territoriale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related