Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila me votë të ndarë 4 me 4 rrëzoi kërkesën e kryeministrit, është rikthyer në fuqi masa e pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Ky zhvillim i hap rrugë Kuvendit që të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të saj, kërkesë që ndodhet në Parlament që prej dhjetorit, por ishte lënë pezull në pritje të vendimit të Kushtetueses.
Tashmë pritet që Kryetari i Kuvendit të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit. Opozita ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet urgjentisht dhe kërkesa e SPAK të hidhet për votim në seancën plenare të së enjtes.
Përfaqësues të opozitës kanë akuzuar mazhorancën se deri tani ka shërbyer si mburojë politike për Ballukun, duke penguar veprimin e drejtësisë. Sipas tyre, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka më asnjë justifikim për vonesa dhe Kuvendi ka detyrimin politik dhe moral të lejojë vijimin e procedurës penale.
Vendimi që do të merret në Kuvend pritet të jetë një test i fortë për raportin mes politikës dhe drejtësisë.
