SPAK ka intensifikuar hetimet pasurore ndaj Flamur Nokës, sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike dhe një nga figurat më të afërta të Sali Berishës. Verifikimet po përqendrohen në burimin e pasurive të tij, transaksionet financiare dhe përfitimet e dyshuara gjatë ushtrimit të funksioneve publike.
Sipas të dhënave hetimore, kontrollet përfshijnë pasurinë e Nokës, bashkëshortes dhe fëmijëve, me dyshime për fshehje pasurie, pastrim parash dhe shpërdorim detyre. Një nga pistat kryesore lidhet me një vilë të dyshuar në Gjirin e Lalzit, si dhe me përfitime të dyshimta gjatë kohës kur Noka drejtonte Bordit e Entit Kombëtar të Banesave.
Hetimet përfshijnë edhe shpërndarjen e banesave për të pastrehët, ku dyshohet se disa familjarë të tij kanë përfituar apartamente në mënyrë të parregullt, përfshirë vëllezër, motër dhe të afërm që jetonin jashtë Shqipërisë.
SPAK po shqyrton gjithashtu skemën financiare përmes së cilës Flamur Noka, pasi përfitoi kredi si i pastrehë, bleu dhe shiti prona duke realizuar fitime shumë herë më të larta se vlera fillestare, çka ka ngritur dyshime serioze për abuzim me pushtetin.
Hetimet janë në fazë aktive dhe pritet që SPAK të vendosë nëse çështja do të kalojë në procedim penal të plotë.
