Analisti Fatos Lubonja ka hedhur dyshime të forta mbi zvarritjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Belinda Ballukut, duke e cilësuar ngërçin si thellësisht politik dhe jo juridik.
I ftuar në një emision televiziv, Lubonja u shpreh se nuk ekziston asnjë arsye ligjore që gjyqtarët e Kushtetueses të qëndrojnë për rreth 10 orë në shqyrtim, për një çështje që, sipas tij, është diskutuar prej më shumë se tre javësh. Ai e quajti këtë situatë absurde dhe tregues të qartë se drejtësia po përdoret si instrument politik.
“S’ka pse të rrinë 10 orë për të marrë një vendim. Këta gjyqtarë e kanë pasur gjithë kohën për ta interpretuar Kushtetutën. Ky 10-orësh është i pajustifikueshëm. Këtu po luhet politikë, jo drejtësi”, u shpreh Lubonja.
Sipas tij, zvarritja e vendimit është një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë dhe për ta kaluar barrën nga një institucion tek tjetri, duke krijuar një “ping-pong” institucional që dëmton rëndë besimin publik.
Lubonja kritikoi gjithashtu edhe veprimet e SPAK, duke theksuar se Prokuroria e Posaçme duhej të kishte qenë më e qartë dhe më e vendosur që në fillim të procesit. Sipas tij, kërkesa fillestare për pezullim nga detyra dhe jo për masa më të forta sigurie ka kontribuar në konfuzionin aktual.
“SPAK duhej të kërkonte arrestimin që në fillim. Vendimi për pezullim nga funksioni dhe gjithë kjo zvarritje tregojnë se sa e madhe është forca e politikës mbi gjyqësorin”, tha ai.
Në përfundim, Lubonja theksoi se problemi nuk qëndron vetëm te Gjykata Kushtetuese, por edhe te Parlamenti, duke nënvizuar se ndërhyrja dhe presioni politik mbi institucionet e drejtësisë mbeten thelbësore në këtë ngërç institucional.
