Gjykata Kushtetuese është mbledhur prej orës 11:00 të paradites për të shqyrtuar çështjen e pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, pas vendimit të GJKKO-së që e largoi atë nga funksioni si masë sigurie.
Kjo është mbledhja e tretë radhazi e Kushtetueses për këtë çështje të ndjeshme, ndërsa sipas gazetares Klodiana Lala, pritet që gjatë ditës së sotme të merret një vendim përfundimtar lidhur me vlefshmërinë ose jo të pezullimit të Ballukut nga detyra.
Burime nga Gjykata Kushtetuese bëjnë me dije se gjyqtarët kanë qëndruar për më shumë se pesë orë në Dhomën e Këshillimit, duke ndërprerë vetëm për pak minuta për vaktin e drekës, për t’u rikthyer më pas në diskutime intensive mbi çështjen.
Në këtë proces, qeveria e kryeministrit Edi Rama ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së, duke argumentuar se pezullimi i një ministri cenon kompetencat kushtetuese të ekzekutivit dhe parimin e ndarjes së pushteteve. Nga ana tjetër, SPAK ka këmbëngulur jo vetëm në ligjshmërinë e masës së pezullimit, por ka kërkuar edhe heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Ballukut, për shkak të dyshimeve për përfshirje në afera të mëdha tenderuese.
Sipas procedurës ligjore, Gjykata Kushtetuese ka afat deri në 30 ditë nga përfundimi i shqyrtimit për të shpallur vendimin përfundimtar, por burimet bëjnë me dije se trupa gjykuese synon ta marrë vendimin brenda ditës, për shkak të rëndësisë politike dhe institucionale që mbart çështja.
Vendimi i Kushtetueses pritet të krijojë një precedent të fortë për raportin mes drejtësisë dhe ekzekutivit, si dhe për mënyrën se si trajtohen ministrat nën hetim penal.
