Kushtetuesja në heshtje totale: Balluku apo privilegjet e gjyqtarëve?

Data

Gjykata Kushtetuese është mbledhur paraditen e sotme rreth orës 11:00, por pa dhënë asnjë informacion zyrtar mbi objektin e diskutimit, duke shtuar dyshimet dhe tensionet politike rreth vendimmarrjeve të saj.

Mister mbetet nëse mbledhja ka në fokus çështjen e shumëdebatuar të pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, apo nëse lidhet me pagat dhe privilegjet financiare të gjyqtarëve kushtetues, një temë që ka shkaktuar përplasje të hapur mes sistemit të drejtësisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Nga njëra anë, presioni publik dhe politik për Ballukun është rritur ndjeshëm, ndërsa nga ana tjetër, kërkesat e gjyqtarëve për paga dhe përfitime më të larta kanë ngjallur reagime të forta nga qeveria, e cila i konsideron të pajustifikuara dhe të papërballueshme për buxhetin e shtetit.

Fakti që Kushtetuesja nuk ka bërë transparencë mbi axhendën e mbledhjes ka ushqyer dyshimet se vendimmarrjet më të rëndësishme po trajtohen larg syrit të publikut, në një moment kritik për besimin e qytetarëve te drejtësia.

Nëse Gjykata po diskuton fatin politik të Ballukut apo interesat financiare të vetë gjyqtarëve, mbetet për t’u parë. Por heshtja e saj sot vetëm sa thellon perceptimin se drejtësia po lëviz mes presionit politik dhe interesave të brendshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related