Qytetarët që kryejnë pagesa, transferta apo tërheqje parash nga bankomatet do të informohen më qartë dhe paraprakisht për komisionet dhe kostot që u mbahen. Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re që synon rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e klientëve nga tarifat e fshehura.
Sipas rregullave të reja, bankat dhe operatorët e pagesave janë të detyruar të publikojnë përqindjet e komisioneve dhe kursit të këmbimit në mënyrë të kuptueshme dhe lehtësisht të aksesueshme në platformat e tyre elektronike. Po ashtu, klientët do të marrin mesazhe elektronike informuese për çdo transaksion që kryejnë.
Para se një pagesë ose transfertë të finalizohet, institucionet financiare duhet t’u komunikojnë klientëve shumën totale që do të debitohet nga llogaria e tyre, duke përfshirë çdo tarifë transaksioni dhe këmbimi valutor. Informacioni duhet të jetë i qartë, neutral dhe i plotë, në mënyrë që qytetarët të marrin vendim të informuar.
Ndryshimet vijnë pas ankesave të shumta për kostot e larta, sidomos për tërheqjet cash dhe pagesat me kartë, një problem që ka prekur jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe turistët dhe emigrantët që përdorin karta të huaja në Shqipëri.
Me rregulloren e re, qytetarët do të dinë paraprakisht sa para do t’u hiqen nga llogaria dhe sa do të përfitojë marrësi, duke i dhënë fund surprizave dhe tarifave të paqarta në shërbimet bankare.
