“Moti i Madh”, një hap drejt UNESCO-s dhe ruajtjes së trashëgimisë arbëreshe

Data

Nga Julia Vrapi

Shqipëria po përgatitet të aplikojë në UNESCO për përfshirjen e “Motit të Madh”, një nismë me rëndësi të veçantë për komunitetin arbëresh dhe për ruajtjen e identitetit të tij kulturor shekullor.

Ritualet e pranverës, të njohura si “Moti i Madh”, përbëjnë një pasuri të rrallë trashëgimie shpirtërore dhe kulturore: rite festive, zakone të lindjes, dasmave e mortit, këngë, valle, kostume popullore dhe zeje tradicionale, të ruajtura ndër breza nga arbëreshët për më shumë se pesë shekuj.

Gjatë një vizite në Vatikan, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja u takua me përfaqësues të komunitetit arbëresh dhe mori pjesë në podcast-in “Pop Arbëresh”, ku u diskutuan çështje kyçe të trashëgimisë kulturore, përfshirë përgatitjen e dosjes së “Motit të Madh” për UNESCO dhe projektet muzeale arbëreshe.

“Kemi nisur procedurat për përgatitjen e dosjes për aplikimin e ‘Motit të Madh’ në UNESCO. Është një ëndërr e komunitetit arbëresh, por edhe një detyrim i yni si shtet”, u shpreh ministri Gonxhja.

Hartimi i dosjes po realizohet nga Fondacioni Universitar “F. Solano”, në bashkëpunim me disa universitete italiane, nën drejtimin e studiuesit Francesco Altimari. Akademia e Shkencave e Shqipërisë është gjithashtu pjesë e grupit të punës për këtë trashëgimi mbi 500-vjeçare.

Qendër kulturore shqiptare në Itali dhe muze arbëresh në Vuno

Në kuadër të forcimit të lidhjeve kulturore me diasporën, Shqipëria po punon për krijimin e institucioneve që promovojnë trashëgiminë kombëtare. Sipas ministrit Gonxhja, përmes fondacionit shtetëror “Culturalb”, synohet rritja e pranisë kulturore shqiptare si në diasporat e reja, ashtu edhe në ato historike si komuniteti arbëresh.

Në Itali pritet të hapet një qendër kulturore shqiptare, ndërsa në Vuno do të ngrihet një muze i dedikuar historisë, traditës dhe figurave të komunitetit arbëresh. Ky muze do të shërbejë jo vetëm si hapësirë ekspozimi, por edhe si qendër dialogu, edukimi dhe aktivitetesh kulturore.

Projekti parashikon bashkëpunim me institucione kulturore dhe shkencore, studiues dhe komunitetin arbëresh në Kalabri, duke synuar që trashëgimia arbëreshe të ruhet, dokumentohet dhe përcillet te brezat e ardhshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related