Një skandal i rëndë financiar ka shpërthyer rreth kompanisë Bankers Petroleum, e cila dyshohet se ka zhdukur rreth 12 milionë dollarë nga shitja e naftës shqiptare, duke i transferuar në një llogari të fshehtë jashtë sistemit të deklaruar financiar.
Në fund të muajit nëntor, Bankers Petroleum eksportoi përmes portit të Petroliferas në Vlorë dy ngarkesa nafte nga fusha Patos-Marinzë, me mbi 200 mijë fuçi në total. Nafta u shit përmes një kompanie brokerimi italiane dhe vlera e marrëveshjes ishte rreth 12 milionë dollarë, me pagesë të parashikuar në muajin dhjetor.
Por paratë nuk mbërritën as në Shqipëri dhe as në llogarinë zyrtare të Bankers në Vjenë. Ato u transferuan në një llogari të fshehtë, për të cilën nuk dihet se në cilin shtet apo bankë ndodhet.
Skandali u zbulua kur punonjës të kompanisë kërkuan dokumentacionin e pagesës për qëllime kontabilizimi dhe raportimi ligjor. Brokeri italian konfirmoi se shuma ishte derdhur në një llogari të caktuar nga drejtuesit kinezë të Bankers në Fier, konkretisht nga drejtori i përgjithshëm dhe zëvendësdrejtori i kompanisë.
Marrëveshja koncesionare i lejon Bankers Petroleum të mbajë llogari jashtë vendit, por me kushtin e raportimit të plotë pranë autoriteteve shqiptare, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe institucionet fiskale. Çdo llogari ku derdhen të ardhurat nga nafta shqiptare duhet të deklarohet dhe çdo lëvizje fondesh duhet të justifikohet me dokumentacion zyrtar.
Përdorimi i një llogarie të fshehtë përbën shkelje të rëndë të marrëveshjes së koncesionit dhe ligjit fiskal, pasi i heq shtetit çdo mundësi kontrolli mbi të ardhurat, shpenzimet dhe fitimin real të kompanisë. Në këtë mënyrë, Bankers nuk sillet më si koncesionar i një pasurie publike, por si pronar absolut i saj.
Situata bëhet edhe më e rëndë për faktin se transferimi i parave ka ndodhur në një kohë kur kompania ndodhej nën hetim nga SPAK dhe autoritetet shqiptare po kërkonin të mblidhnin detyrime tatimore në vlera shumë të larta.
Pas vendimit të GJKKO për zgjatjen e hetimeve, SPAK i ka kërkuar zyrtarisht Bankers Petroleum të dorëzojë dokumentacionin e plotë të lëvizjeve financiare nga llogaria në Vjenë dhe çdo transaksion të kryer. Ende nuk dihet nëse Prokuroria ka marrë dijeni për 12 milionë dollarët e transferuar në llogarinë e fshehtë, por burime brenda kompanisë konfirmojnë se informacioni është i njohur gjerësisht nga punonjësit.
Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi kontrollin e pasurive publike, mbrojtjen e interesit shtetëror dhe seriozitetin e zbatimit të ligjit ndaj një prej koncesionarëve më të mëdhenj në vend.
