Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ka sqaruar se nuk ekziston asnjë vendim për heqjen e ndalimit të qarkullimit të monopatinave elektrike në rrugët e vendit.
Në një prononcim publik, Koçiu theksoi se masa e ndalimit vijon të jetë në fuqi dhe se çdo informacion që qarkullon për lejimin e tyre është i pavërtetë. Sipas saj, shqetësimi kryesor mbetet siguria e qytetarëve, veçanërisht e fëmijëve dhe të rinjve, të cilët janë edhe përdoruesit kryesorë të këtij mjeti.
Ministrja u shpreh se institucionet përkatëse janë ende në fazën e analizës së riskut dhe se përpara çdo vendimi të mundshëm duhet të përgatitet një kuadër i qartë ligjor, që garanton rregulla strikte për përdorimin e monopatinave, pajisjet mbrojtëse dhe zonat e lejuara të qarkullimit.
Koçiu shtoi se deri në një vendimmarrje zyrtare, ndalimi mbetet i plotë dhe strukturat përgjegjëse do të vijojnë kontrollet për respektimin e masës.
“Siguria publike është prioritet. Nuk mund të lejohet qarkullimi pa rregulla i monopatinave, që kanë sjellë incidente dhe rrezik real për jetën”, u shpreh ministrja.
