Ish-prokurori Besnik Muçi ka komentuar vonesën e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Belinda Ballukut, për të cilën SPAK ka kërkuar autorizim për arrestim. Sipas tij, gjykata duhej të ishte shprehur prej kohësh, pasi bëhet fjalë për një çështje të thjeshtë ligjore.
I ftuar në një studio televizive, Muçi u shpreh se fakti që Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë ende një vendim tregon qartë se ka presion institucional.
“Sot Gjykata Kushtetuese nuk shprehet prej një muaji. Rrëzoje kërkesën ose pranoje, pse nuk e bën? Nëse kërkesa do të ishte e pastër ligjërisht, përgjigjja do të ishte dhënë menjëherë”, tha ai.
Sipas Muçit, kjo zvarritje po dëmton rëndë hetimet, pasi po krijohen kushte për prishjen e provave dhe pengimin e drejtësisë. Ai theksoi se ligji dhe Kushtetuta janë në anën e SPAK-ut, por Gjykata Kushtetuese po heziton të marrë përgjegjësi.
Ish-prokurori shtoi se Gjykata Kushtetuese mund t’i ishte drejtuar Komisionit të Venecias për mendim këshillimor para seancës plenare, por kjo nuk është bërë, çka sipas tij e rëndon edhe më shumë situatën.
“Kjo është agoni e institucioneve. Reforma në drejtësi ka dështuar. U shpenzuan shumë para, por sistemi u shkatërrua. Gjykata Kushtetuese nuk ka guxim të shprehet për një çështje të thjeshtë”, deklaroi Muçi.
Ai përfundoi se vonesat po minojnë besimin e qytetarëve te drejtësia dhe po krijojnë një precedent të rrezikshëm për ndërhyrje politike në vendimmarrje.
