Bashkimi Evropian i ka dërguar një sinjal të fortë kryeministrit Edi Rama lidhur me situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke e bërë të qartë se mbajtja në detyrë e Belinda Ballukut po kthehet në një pengesë serioze për procesin e integrimit evropian. Vizita në Tiranë e komisionerit evropian Magnus Brunner, e fokusuar te siguria kufitare, migracioni dhe lufta kundër krimit të organizuar, po lexohet si një mesazh i drejtpërdrejtë politik, sidomos për faktin se në axhendë nuk është parashikuar asnjë takim me Ballukun, ministren përgjegjëse për portet dhe infrastrukturën.
Sipas burimeve diplomatike, Gjermania – një nga shtyllat kryesore të vendimmarrjes brenda BE-së – i ka përcjellë Ramës një ultimatum të qartë: një zëvendëskryeministre e marrë e pandehur për korrupsion nuk mund të mbrohet politikisht pa pasoja për negociatat. Në këto kushte, kapitujt negociues rrezikojnë shtyrjen ose ngrirjen, pasi bie ndesh me parimet bazë të shtetit të së drejtës që kërkohen nga një vend kandidat.
Shqetësimi në Bruksel është rritur pas presioneve publike të kryeministrit ndaj sistemit të drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht pas marrjes së Ballukut si e pandehur nga SPAK. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë progres apo diskutim real me grupet negociatore, ndërsa qeveria është përfshirë në vonesa procedurale dhe përplasje institucionale.
Nga ana tjetër, Rama ka vijuar ta mbrojë Ballukun duke shtyrë mbledhjet parlamentare që duhet të shqyrtojnë kërkesat e SPAK për arrestimin e saj. Edhe pse prokuroria ka paraqitur elementë të rinj hetimorë, përfshirë dyshime për disa tenderë dhe koncesione të mëdha infrastrukturore, mazhoranca ka zgjedhur të fitojë kohë përmes procesit në Gjykatën Kushtetuese.
Ky qëndrim po e fut Shqipërinë në një ngërç të panevojshëm politik, në një moment kur BE kërkon qartësi, vendosmëri dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit në nivelet e larta. Mesazhi nga Brukseli është i qartë: pa veprime konkrete dhe pa ndarje të politikës nga drejtësia, rruga drejt Evropës do të bëhet edhe më e vështirë.
