Pas tre ditësh protestash të pandërprera në zonën e Rrjollit në Velipojë, banorët e këtij fshati janë paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku kërkojnë ndërhyrjen e drejtësisë për ndalimin e punimeve të një resorti që po ndërtohet në zonë.
Sipas banorëve, ndërtimi po kryhet në tokat e tyre të trashëguara ndër breza, pa pëlqimin e tyre dhe mbi dokumente që ata i konsiderojnë të falsifikuara. Ata pretendojnë se prona u është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme dhe se institucionet vendore nuk kanë reaguar ndaj ankesave të vazhdueshme.
“Ne kërkojmë vetëm pronën tonë. Nuk jemi kundër zhvillimit, por jo mbi tokat tona dhe jo me dokumente të rreme”, u shprehën banorët para SPAK, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të punimeve dhe hetim të plotë të çështjes.
Kjo është hera e dytë që banorët e Rrjollit i drejtohen Prokurorisë së Posaçme. Më 25 mars të vitit të kaluar, ata depozituan një kallëzim penal ndaj firmës ndërtuese dhe ndaj personave që, sipas tyre, kanë falsifikuar dokumentacionin e pronësisë në zonën Baks–Rrjoll.
Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat dhe ndjekjen ligjore të çështjes, nëse institucionet nuk reagojnë, duke theksuar se kjo nuk është vetëm një betejë për tokën, por për të drejtën dhe pronën e tyre.
