Brad Karp, kryetari i firmës prestigjioze të avokatisë Paul Weiss, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, pas publikimit të një serie email-esh që tregojnë komunikimet e tij me financierin e dënuar për abuzim seksual, Jeffrey Epstein.
Dorëheqja erdhi pak ditë pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë publikoi dokumente të reja lidhur me çështjen Epstein, ku rezulton se Karp kishte shkëmbyer email-e me të deri në vitin 2019, vitin kur Epstein humbi jetën në burg. Në një deklaratë publike, Karp u shpreh se drejtimi i firmës për 18 vite kishte qenë nderi i karrierës së tij, por shtoi se vëmendja e krijuar nga raportimet e fundit po dëmtonte interesin e Paul Weiss.
Sipas dokumenteve të publikuara, në një email të korrikut 2015, Karp e falënderonte Epsteinin për një mbrëmje private, të cilën e përshkruante si “një herë në jetë”, duke vlerësuar mikpritjen dhe rezidencën e tij. Në një tjetër komunikim, në vitin 2016, Karp i kishte kërkuar ndihmë Epsteinit për të gjetur një mundësi pune për të birin në një projekt filmik të regjisorit Woody Allen.
Publikimi i këtyre shkëmbimeve ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në komunitetin ligjor amerikan, duke vënë në pikëpyetje marrëdhëniet e figurave të njohura me Epsteinin, edhe vite pas dënimit të tij. Dorëheqja e Karp shihet si një përpjekje për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të reputacionit të firmës, e cila konsiderohet një nga më të fuqishmet në fushën e së drejtës korporative në SHBA.
Rasti pritet të rikthejë edhe një herë vëmendjen mbi rrjetin e gjerë të kontakteve që Epstein kishte ndërtuar me figura të rëndësishme nga bota e biznesit, politikës dhe ligjit, ndërsa publikimi i dokumenteve të tjera mund të sjellë zhvillime të reja në ditët në vijim.
