Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po rriten ndjeshëm, ndërsa përplasjet ushtarake po ndërthuren gjithnjë e më rrezikshëm me përpjekjet diplomatike në Lindjen e Mesme. Së fundmi, anije patrulluese iraniane tentuan të hipnin në një anije tregtare me flamur amerikan pranë Ngushticës së Hormuzit, ndërkohë që pothuajse në të njëjtën kohë një dron iranian Shahed 139 iu afrua aeroplanmbajtëses amerikane USS Abraham Lincoln me “qëllim të paqartë” dhe u rrëzua nga një avion luftarak F-35.
Uashingtoni i ka cilësuar këto veprime si “shumë agresive”, por pavarësisht përshkallëzimit ushtarak, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se kanalet diplomatike me Teheranin mbeten të hapura. Sipas raportimeve, negociatat që fillimisht ishin planifikuar të zhvilloheshin në Turqi, pritet të mbahen në Oman.
Megjithatë, sipas një raportimi të “The Washington Post”, hapësira për diplomaci po ngushtohet, ndërsa Pentagoni ka rritur ndjeshëm përgatitjet ushtarake. Gjatë muajit të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar dhjetëra avionë luftarakë në baza pranë Iranit dhe rreth 12 anije luftarake në ose pranë rajonit, duke krijuar një gamë më të gjerë opsionesh ushtarake në rast se presidenti amerikan vendos për ndërhyrje.
Prania ushtarake udhëhiqet nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, e mbështetur nga shkatërrues me raketa të drejtuara dhe mjete ajrore të avancuara si avionët F-35 dhe EA-18G Growler. Paralelisht, dhjetëra avionë të tjerë, përfshirë F-15E, A-10C, dronë MQ-9, si dhe mjete për furnizim, zbulim dhe kërkim-shpëtim, janë dislokuar në Katar, Jordani dhe zona të tjera strategjike të rajonit.
Analistët e sigurisë vlerësojnë se këto lëvizje sinjalizojnë përgatitje për operacione shumë më të gjera sesa goditjet e kufizuara të vitit 2025. Ata paralajmërojnë se çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të provokojë një reagim të fortë nga Irani, me pasoja serioze për Izraelin, si dhe për bazat dhe interesat amerikane në të gjithë Lindjen e Mesme.
