Dosja “Meta” sot në GJKKO, vendoset nëse çështja kalon për gjykim

Data

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të zhvillohet sot, në orën 10:00, seanca paraprake për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi. Trupa gjykuese do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim ose do të kthehet për plotësim hetimesh.

Në seancën e mëparshme, e cila zgjati rreth tetë orë, pati përplasje mes Metës dhe prokurorit të SPAK, Sotir Kllapi. Gjatë asaj seance, prokuroria arriti të lexojë vetëm 90 faqe nga kërkesa për kalimin e çështjes në gjykim, ndërsa mbeten edhe rreth 100 faqe të tjera për t’u paraqitur.

SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve më 28 korrik 2025 për dosjen që lidhet me aferën CEZ-DIA, lobimin e ish-LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe hetimin pasuror. Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Në të njëjtën dosje, Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash. Për Monika Kryemadhin është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Vendimi i sotëm i GJKKO-së pritet të përcaktojë nëse kjo çështje e bujshme do të hyjë në fazën e gjykimit ose do të ketë zhvillime të tjera procedurale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related