Gjykata e Posaçme ka vendosur lirimin nga burgu të Xhelal Rraja, duke ia ndryshuar masën e sigurisë në arrest shtëpie. Vendimi u mor pas pranimit të kërkesës së tij, ndërsa Rraja do të qëndrojë nën mbikëqyrje policore dhe me ndalim komunikimi jashtë familjes.
Rraja ishte arrestuar në korrik 2024, në kuadër të operacionit “Revanshi”, i dyshuar për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe sigurim kushtesh për vrasje. Sipas SPAK, ai akuzohet se ishte pjesë e grupit që planifikonte atentatin ndaj ish-deputetit Arben Ndoka.
Ai është vëllai i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja dhe përmendet në dosjen “Metamorfoza”, ku dyshohet se ka bashkëpunuar me Durim Bami dhe Endrit Dokle për planin e atentatit. Prokuroria e lidh gjithashtu me një rrahje masive në Thumanë, ngjarje pas së cilës vëllai i tij dha dorëheqjen nga mandati.
Hetimet vijojnë, ndërsa masa e re e sigurisë parashikon qëndrimin në banesë dhe kontroll të rreptë policor.
