Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj disa subjekteve që ofrojnë shërbime postare në kryeqytet, të dyshuara për evazion fiskal. Pas autorizimit nga gjykata, janë kryer kontrolle në ambientet e këtyre subjekteve.
Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash pa faturë tatimore dhe dokumentacion shoqërues, si edhe rreth 13 milionë lekë, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm.
Procedimi penal është regjistruar për veprën penale të evazionit fiskal. Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e shitësve realë dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme.
