Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hequr nga faqja zyrtare mijëra dokumente që lidhen me dosjen e Jeffrey Epstein, pasi u zbulua se publikimi kishte ekspozuar identitetin e viktimave të abuzimeve seksuale.
Avokatët e të mbijetuarve thanë se redaktimet ishin bërë në mënyrë të gabuar dhe kishin nxjerrë në dritë adresa emaili, fotografi sensitive dhe të dhëna që lejonin identifikimin e gati 100 viktimave. Sipas tyre, ky veprim ka shkaktuar ritraumatizim dhe dëme serioze personale.
Viktimat reaguan me një deklaratë të ashpër, duke e quajtur publikimin “skandaloz” dhe duke theksuar se nuk duhet të emërtohen apo të ekspozohen publikisht pas viteve të gjata vuajtjeje.
Departamenti i Drejtësisë pranoi se dokumentet janë hequr plotësisht nga faqja, duke e justifikuar situatën me “gabime teknike dhe njerëzore”. Megjithatë, disa prej të mbijetuarave thanë se dëmi tashmë është bërë dhe se institucionet shtetërore kanë dështuar t’i mbrojnë.
Skandali vjen në një moment të ndjeshëm, pasi miliona dokumente lidhur me Epstein janë publikuar muajt e fundit, përfshirë miliona faqe, qindra mijëra imazhe dhe mijëra video. Në to përmenden edhe figura të njohura ndërkombëtare, duke rritur presionin publik dhe politik.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër ndaj pyetjeve të mediave për këtë çështje, duke sulmuar një gazetare të CNN dhe duke kërkuar që vendi “të merrej me diçka tjetër”.
Pasojat e publikimeve kanë prekur edhe familjen mbretërore britanike. Ish-Princi Andrew, i përfshirë në dokumente, është larguar nga rezidenca mbretërore në Windsor dhe është zhvendosur në Sandringham, më herët sesa ishte planifikuar fillimisht.
Skandali Epstein vijon të prodhojë tronditje politike, ligjore dhe shoqërore, ndërsa kritikat ndaj autoriteteve amerikane për menaxhimin e dosjeve po shtohen.
