Partia Socialiste ka bërë një hap pas duke u tërhequr nga ndryshimet e propozuara për Komisionin e Reformës Territoriale. Mazhoranca synonte të ndryshonte formulën e përfaqësimit në komision, duke propozuar rritjen e numrit të anëtarëve në 17, me 9 përfaqësues nga PS dhe 8 nga opozita, në vend të ndarjes së barabartë që zbatohet aktualisht. Po ashtu, socialistët kërkonin ndryshim edhe në drejtimin e komisionit, duke parashikuar një kryetar nga mazhoranca dhe një nënkryetar nga opozita, në vend të dy bashkëkryetarëve.
Argumenti i PS-së ishte se këto ndryshime do të garantonin vazhdimësinë e punës së komisionit, pas mungesave të përsëritura të opozitës në mbledhje. Megjithatë, gjatë seancës plenare të djeshme, Partia Demokratike sqaroi se mungesat nuk kishin qenë bojkot, por për shkak të angazhimeve të tjera parlamentare. Pas këtij sqarimi, mazhoranca vendosi të tërhiqej nga propozimi.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, kërkoi zyrtarisht heqjen e projektvendimit nga rendi i ditës, duke shprehur shpresën që puna në Komisionin e Reformës Territoriale të rifillojë me dakordësi mes palëve. Kërkesa u pranua dhe ndryshimet e propozuara nuk u shqyrtuan në këtë seancë.
Ndërkohë, Kuvendi vijoi punimet me votimin e projektligjeve të tjera të parashikuara në rendin e ditës. Të gjitha aktet ligjore u miratuan me votat e mazhorancës. Mes ligjeve të miratuara janë disa marrëveshje financimi dhe bashkëpunimi ndërkufitar me vende të rajonit dhe Bashkimin Evropian, si dhe ndryshime në ligje që lidhen me kontrollin e lëndëve narkotike dhe psikotrope, mbrojtjen nga diskriminimi dhe parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe ngritjen e një nënkomisioni për Zhvillim të Qëndrueshëm, në kuadër të Komisionit Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
Seanca u mbyll me miratimin e rendit të ditës dhe pa debate të mëtejshme për Reformën Territoriale, e cila pritet të rikthehet për diskutim në vijim, nëse palët politike arrijnë një konsensus për mënyrën e funksionimit të komisionit.
