Rritja e çmimeve të barnave të rimbursueshme është kthyer në një shqetësim serioz për qytetarët dhe është ngritur edhe në Kuvend. Deputeti Erion Braçe denoncoi ndryshimet e bëra pa transparencë në listën e barnave të rimbursueshme, duke theksuar se këto barna janë të destinuara për shtresat më në nevojë.
Sipas Braçes, ndryshimi i çmimeve dhe përmbysja e alternativave terapeutike pa njoftim paraprak po cenon drejtpërdrejt aksesin e pacientëve në mjekim. Ai solli si rast konkret shqetësimin e ngritur nga Shoqata e Diabetit lidhur me insulinën, një bar jetik për mijëra qytetarë që varet nga rimbursimi mujor.
Deputeti paralajmëroi se këto vendime po krijojnë konfuzion dhe kosto shtesë për pacientët, duke theksuar se çmimi është një faktor vendimtar që ose garanton, ose mohon të drejtën për trajtim shëndetësor. Ai shtoi se nuk duhet të goditen alternativat mjekësore dhe se vendimet nuk duhet të merren për interesa klienteliste, duke favorizuar kompani të caktuara.
Braçe ngriti gjithashtu shqetësime për barnat onkologjike, të cilat sipas tij po kalojnë nga barna prioritare në alternativa, ndërkohë që buxheti për listën e rimbursimit ka arritur në rreth 140 milionë euro.
Ai theksoi se përfituesi i vetëm i kësaj liste duhet të jetë i sëmuri dhe jo kompanitë farmaceutike, duke kërkuar më shumë transparencë, njoftim paraprak dhe mbrojtje reale për pacientët.
