Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar ashpër mazhorancën se po përdor Kuvendin si mburojë politike për të bllokuar drejtësinë dhe për të penguar veprimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në një deklaratë për mediat pas daljes nga seanca parlamentare, Berisha u shpreh se Parlamenti nuk po funksionon më si institucion përfaqësues, por si një instrument për të mbrojtur, sipas tij, “krimin dhe grushtin e shtetit të kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë”.
“Sot Parlamenti mblidhet dhe flet për gjithçka, vetëm për të mbuluar krimin monstruoz që ka ndodhur. Kuvendi po bllokon prokurorinë dhe po pengon të drejtën kushtetuese për ngritjen e akuzave ndaj kujtdo që shkel ligjin”, deklaroi Berisha.
Ai e cilësoi situatën si të paprecedentë, duke theksuar se mazhoranca po shkel hapur Kushtetutën për të mbrojtur Ballukun dhe për të garantuar pandëshkueshmërinë e pushtetit.
Berisha theksoi se axhenda kryesore e Partisë Demokratike është lufta kundër asaj që ai e quan “grusht shteti institucional”, duke shtuar se vetëm reagimi qytetar mund t’i japë fund kësaj situate.
Në këtë kuadër, ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar më 10 shkurt, të cilën e cilësoi si vendimtare.
“10 shkurti duhet të jetë dita e përballjes së qytetarëve me këtë regjim që nuk respekton ligjin, Kushtetutën dhe drejtësinë. Vetëm populli mund ta ndalë këtë kapje të shtetit”, përfundoi Berisha.
