Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka shpërthyer në Kuvend duke akuzuar mazhorancën se po mbron hapur zv/kryeministren Belinda Balluku, duke shkelur Kushtetutën dhe duke injoruar interpelancat parlamentare.
Shehaj deklaroi se që prej korrikut 2023 ka kërkuar një interpelancë me Ballukun, por për dy vite rresht mazhoranca ka refuzuar ta thërrasë ministren në Kuvend. Sipas tij, kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës, e cila detyron kryeministrin dhe ministrat t’i përgjigjen interpelancave brenda tre javëve.
“A vlen Kushtetuta për ju? Ku e gjeni kurajën të vini këtu e të bëni sikur s’ka ndodhur gjë?”, u shpreh Shehaj, duke akuzuar mazhorancën se po i hap rrugë abuzimeve me paratë publike.
Ai theksoi se ndërsa Kuvendi shmang debatet reale, Balluku vijon të firmosë vendime dhe projekte të dyshimta, pavarësisht kërkesave për pezullim dhe hetimeve që rëndojnë mbi të.
“Flisni për gjithçka, përveçse si të mbrojmë paratë e shqiptarëve nga abuzuesit. Dy vite injorohet interpelanca, ndërsa Balluku vazhdon aferat”, deklaroi Shehaj.
Në fund, ai i bëri thirrje mazhorancës t’i japë fund mbrojtjes politike të ministres dhe të respektojë Kushtetutën dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve.
