Bashkimi real politik mes Edi Ramës dhe Sali Berishës po del gjithnjë e më hapur dhe ka një objektiv të vetëm: kufizimin, kontrollin dhe neutralizimin e SPAK-ut. Dy figurat kryesore të tranzicionit shqiptar, që prej vitesh dominojnë skenën politike, sot nuk bashkohen më për pushtet, por për mbijetesë penale.
Hetimet e SPAK po afrohen gjithnjë e më shumë drejt kupolës politike dhe kjo ka prodhuar një reagim të koordinuar mes mazhorancës dhe opozitës së kontrolluar. Interesi i Edi Ramës për ta mbajtur Berishën në lojë nuk është më vetëm politik, por thellësisht penal. Një Berishë jashtë loje apo pas hekurave do t’i hapte rrugë një opozite të re, të pakomprometuar dhe të pakontrollueshme. Për këtë arsye, Rama dhe Berisha po ruajnë me çdo kusht monopolin politik të ndërtuar që nga viti 2008, tashmë si mburojë kundër drejtësisë.
Kulisat e pazarit
Strategjia e përbashkët ka hyrë në fazë konkrete. Sinjali i parë ishte aktivizimi i Komisionit të posaçëm parlamentar të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, i cili synon të fusë Parlamentin në territorin kushtetues të SPAK-ut. Letra e dërguar drejt Prokurorisë së Posaçme për një të ashtuquajtur “vizitë monitoruese” nuk ishte as e rastësishme dhe as teknike. Ajo ishte një provokim i drejtpërdrejtë institucional, i dërguar pikërisht ditën kur Klodjan Braho mori detyrën si kreu i ri i SPAK, për të testuar reagimin dhe për të vendosur presion që në nisje.
Refuzimi i prerë i SPAK për këtë ndërhyrje ishte një goditje për planin fillestar, por jo fundi i ofensivës. Përkundrazi, ky refuzim konfirmoi se presioni politik do të vijojë në forma të tjera, më të sofistikuara dhe më të rrezikshme.
Goditja e heshtur përmes Kodit Penal
Paralelisht me presionin parlamentar, dobësimi i Reformës në Drejtësi ka nisur prej kohësh në mënyrë të heshtur, përmes ndryshimeve në Kodin Penal. Shfuqizimi i pikës 7 të nenit 28, që parashikonte përfitime për bashkëpunëtorët e drejtësisë, është një nga goditjet më të rënda ndaj arkitekturës së SPAK-ut.
Kjo dispozitë ishte një shtyllë kyçe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Heqja e saj u bë pa transparencë, pa debat publik dhe pa asnjë shpjegim bindës. Në praktikë, ky ndryshim dekurajon bashkëpunimin me drejtësinë, e lë bashkëpunëtorin pa garanci ligjore dhe e kthen dëshminë në një akt vetëflijimi.
Mesazhi që përcillet është i qartë:
“Mos fol, mos bashkëpuno, mos guxo.”
Ky nuk është thjesht një ndryshim ligjor, por një sinjal politik për botën e krimit dhe korrupsionit, se mbrojtja politike është ende aktive.
Çfarë pritet të ndodhë?
Të gjitha këto zhvillime tregojnë se kemi të bëjmë me një strategji të koordinuar Rama–Berisha, që synon fillimisht frenimin e SPAK-ut, më pas dobësimin e tij ligjor dhe në fund ndërhyrjen edhe në Kushtetutë, ashtu si në vitin 2008.
Letra e Xhafajt ishte provokimi i parë.
Ndryshimet në Kodin Penal ishin goditja e parë reale.
Hapi i radhës pritet të jetë përplasja e hapur për kapjen ose neutralizimin e SPAK-ut.
Pazari PS–PD tashmë është i zbuluar. Ajo që po përgatitet nuk është më një betejë politike, por një betejë e drejtpërdrejtë kundër drejtësisë, që rrezikon të rikthejë pandëshkueshmërinë si normë dhe ta mbyllë përfundimisht kapitullin e Reformës në Drejtësi.
