Edi Rama nis sulmet ndaj drejtësisë, si kryeministri po përdor alibinë e rritjes së pagave dhe po shantazhon hapur Gjykatën Kushtetuese për çështjen “Balluku”

Data

Kryeministri Edi Rama ka hapur publikisht një front të ri përplasjeje me sistemin e drejtësisë, duke përdorur si alibi kërkesën e gjyqtarëve për rritjen e pagave, në një moment tejet delikat për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku.

Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Rama sulmoi ashpër dy shoqatat e gjyqtarëve që i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave, duke ironizuar argumentet e tyre dhe duke i portretizuar gjyqtarët si një kastë që kërkon privilegje të pamerituara. Sipas tij, kërkesa për rritje pagash do t’i kushtonte buxhetit të shtetit 37 milionë euro dhe do ta çonte sistemin e pagave në “stratosferë”.

Kryeministri theksoi se pagat aktuale të gjyqtarëve shqiptarë janë të krahasueshme me ato të Greqisë dhe më të larta se në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, duke pretenduar se çdo rritje e mëtejshme do të krijonte pabarazi dhe do të shkelte balancën mes pushteteve.

Por mesazhi i Ramës nuk u ndal vetëm te kritika financiare. Ai i dërgoi një paralajmërim të drejtpërdrejtë Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se shpresonte që kjo e fundit të mos e miratonte kërkesën e gjyqtarëve, pasi në të kundërt “qeveria dhe mazhoranca do të detyroheshin të gjenin ilaçe të tjera”.

Ky paralajmërim është interpretuar gjerësisht si një formë presioni dhe shantazhi institucional ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila ende nuk ka marrë vendim për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Retorika e përdorur nga kryeministri vjen në një moment kritik, duke ngritur dyshime serioze se sulmi ndaj gjyqësorit synon të ndikojë drejtpërdrejt në vendimmarrjen e gjykatës për një çështje me peshë të madhe politike.

Në fjalën e tij, Rama përdori tone përçmuese ndaj gjyqtarëve, duke deklaruar se disa prej tyre “sillen si vetë zot dhe vetë shkop”, ndërsa ironizoi argumentin se drejtësia “sjell para në buxhet” dhe për këtë arsye meriton paga më të larta. Sipas tij, kjo logjikë do të hapte rrugën për absurditete, ku çdo institucion që gjeneron të ardhura do të kërkonte paga të veçanta, duke lënë pas dore kategori si mësuesit, pensionistët apo shërbimet publike.

Rama e cilësoi kërkesën për rritje pagash si një përpjekje për imponim të pushtetit gjyqësor mbi ekzekutivin dhe legjislativin, duke e paraqitur atë si një rrezik për rendin demokratik. Në fund të mesazhit, ai shprehu hapur dëshirën që Gjykata Kushtetuese të mos e miratojë kërkesën, duke paralajmëruar pasoja politike në rast të kundërt.

Kjo qasje e kryeministrit po shihet si një përshkallëzim i rrezikshëm i marrëdhënieve mes pushteteve dhe si një përpjekje për të vënë drejtësinë nën presion të drejtpërdrejtë politik, veçanërisht në një moment kur sistemi gjyqësor po shqyrton çështje që prekin drejtpërdrejt figurat kyçe të qeverisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related