“Banorët kanë dalë pa paralajmërim”/ Aksi rrugor në Luz të Fushë-Krujës në gjendje skandaloze, Kalaja: Është lënë në harresë totale

Data

Banorët e zonës së Luzit në Fushë-Krujë, mes tyre edhe fëmijë të shkollës, kanë dalë sërish në protestë duke bllokuar për të dytën ditë radhazi rrugën kryesore. Shkak është bërë gjendja e rëndë dhe e degraduar e aksit rrugor, i cili prej vitesh nuk ka parë asnjë investim serioz.

Në një lidhje live nga vendngjarja, Aulon Kalaja, drejtues i Departamentit për Mbrojtjen e Familjes në Partinë Demokratike, deklaroi se rruga është pjesë e unazës së Fushë-Krujës dhe përbën një arterie jetike ekonomike, ku kalojnë rreth 2000 kamionë në ditë, por sot është kthyer në burim rreziku dhe falimentimi për banorët dhe bizneset.

Sipas Kalasë, rruga është thuajse e pakalueshme për shkak të gropave të mëdha, mungesës së asfaltit dhe pusetave të hapura. Situata është alarmante sidomos për nxënësit e shkollës “Gjon Luka”, të cilët çdo ditë kalojnë këtë aks pa mbikalim dhe pa sinjalistikë, duke rrezikuar jetën.

Tonazhi i rëndë i mjeteve ka shkatërruar jo vetëm asfaltin, por edhe trotuaret dhe tubacionet e ujit, ndërsa ndërhyrjet sporadike me çakull, sipas banorëve, vetëm sa e përkeqësojnë situatën.

Kalaja theksoi se kjo gjendje zvarritet prej më shumë se dy vitesh, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme për asfaltim, të cilat nuk janë mbajtur kurrë. Ai i bëri thirrje drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar që të zbresë personalisht në terren dhe të shohë realitetin në të cilin jeton komuniteti.

Banorët shprehen të vendosur se nuk do të tërhiqen nga protesta, derisa rruga të shtrohet plotësisht. Sipas tyre, pluhuri në verë dhe balta në dimër e kanë bërë jetën të padurueshme, ndërsa bizneset përgjatë aksit janë drejt falimentimit total.

“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se asfaltimin e rrugës. Kaq,” – është mesazhi i qartë i banorëve të Luzit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related