Ish-liderët e UÇK-së drejt verdiktit final në Hagë, çfarë pritet nga vendimi përfundimtar

Data

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po hyn në fazën e tij përmbyllëse në Hagë. Pas gati dy vitesh seanca intensive, më 9 shkurt pritet të nisin fjalët përfundimtare në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Nga data 9 deri më 18 shkurt, Prokuroria dhe ekipet mbrojtëse do të paraqesin konkluzionet përfundimtare lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të pandehurit i kanë mohuar vazhdimisht. Kjo fazë konsiderohet vendimtare, pasi përmbledh të gjitha provat, dëshmitë dhe argumentet juridike të mbledhura gjatë procesit.

Pas mbylljes së fjalëve përfundimtare, secili nga të akuzuarit do të ketë të drejtën e fjalës së fundit, me nga 20 minuta për të shprehur personalisht qëndrimin e tij përpara trupit gjykues. Më pas, gjykata ka afat deri në 90 ditë për të shpallur vendimin e shkallës së parë.

Gjykimi ka nisur më 3 prill 2023 dhe është shndërruar në një nga proceset më të gjata dhe më të ndjeshme që lidhen me luftën në Kosovë. Gjatë seancave kanë dëshmuar qindra dëshmitarë të Prokurorisë, si dhe disa dëshmitarë të mbrojtjes, përfshirë ish-zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, duke e kthyer këtë proces në një çështje me peshë të madhe politike, juridike dhe historike.

Verdikti përfundimtar pritet me interes të lartë në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë, pasi pritet të ketë ndikim të fortë jo vetëm në planin juridik, por edhe në narrativën politike dhe historike të luftës së fundit në Kosovë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related