Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, ka hedhur akuza dhe paralajmërime të forta lidhur me hetimet e SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe dosjes së AKSHI-t, duke e krahasuar përmasën e skandalit me aferat tronditëse të Jeffrey Epstein në Shtetet e Bashkuara.
I ftuar në një emision televiziv, Prençi deklaroi se opinioni publik ende nuk e ka parë as një pjesë të vogël të asaj që, sipas tij, ndodhet në dosjet e SPAK, duke shtuar se zbulimi i plotë i provave do të kishte efekt tronditës jo vetëm për Shqipërinë, por edhe më gjerë.
Sipas Prençit, sulmet e vazhdueshme të kryeministrit ndaj SPAK dhe institucioneve të drejtësisë kanë krijuar një klimë të rrezikshme presioni dhe kanë bërë këto struktura më të ekspozuara ndaj kërcënimeve.
“Ka më shumë se një vit që loja është nxehur në Shqipëri dhe e ka nxehur politika. SPAK dhe BKH ndihen të kërcënuar pas gjuhës së kryeministrit. Kur një kryeministër sulmon prokurorë e gjyqtarë, i kthen ata në objektiv,” u shpreh Prençi.
Ai theksoi se gjuha e ashpër politike jo vetëm që minon besimin tek drejtësia, por edhe i ekspozon institucionet e hetimit si “gjah” për grupet kriminale.
“Sa herë politika ka sulmuar policinë dhe drejtësinë, këto institucione janë bërë më të pambrojtura. Nëse nesër preket një figurë e hetimit, Shqipëria do të tronditet rëndë dhe askush nuk merr më guximin të hetojë,” paralajmëroi ai.
Duke iu referuar drejtpërdrejt çështjes së Ballukut dhe AKSHI-t, Prençi deklaroi se SPAK ende nuk ka bërë publike të gjitha provat, as në Kuvend, pasi ndodhet në fazë hetimore dhe po administron materialet sipas procedurës ligjore.
“Kur të dalë e vërteta ashtu siç e dinë prokurorët, është për të vënë duart në kokë. Pritet çdo gjë për Ballukun dhe grupin e tyre. Edhe për kryeministrin. SPAK nuk ka paraqitur gjithçka. Po të dalin të gjitha provat, tronditet bota si me skandalet e Epstein. E kemi Epstein te dera,” u shpreh Prençi.
Deklaratat e ish-drejtorit të Policisë shtojnë presionin publik mbi institucionet e drejtësisë, në një moment kritik ku hetimet ndaj zyrtarëve të lartë po konsiderohen si një test vendimtar për funksionimin e drejtësisë së re dhe përballjen reale me korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit.
