Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka dalë kundër vendimit të kryetarit Sali Berisha për bojkotimin e komisioneve të posaçme të Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së.
Zhupa është shprehur se opozita nuk duhet të lërë hapësira bosh në komisione, pasi mungesa e saj i shërben vetëm mazhorancës dhe dëmton interesin publik. Sipas saj, pjesëmarrja është e domosdoshme për t’u përfaqësuar zëri i qytetarëve dhe për të paraqitur alternativa konkrete.
“Nuk duhet ta lëmë hapësirën bosh në Komisionin e Reformës Territoriale. Pavarësisht nëse na dëgjojnë apo jo, ne shkojmë për qytetarët dhe interesin publik. Duhet të jemi aty për dëgjesat me ekspertët, për të dhënë zgjidhjet tona dhe për të treguar se si e duam reformën territoriale në shërbim të qytetarëve”, është shprehur Zhupa.
Ajo ka theksuar se bojkotimi e lehtëson mazhorancën, pasi kjo e fundit mund të justifikojë vendimmarrjen e njëanshme me mungesën e opozitës në proces.
“Ata e kanë shumë të lehtë ta kalojnë reformën pa ne, sepse thonë: ‘Ju nuk ishit’. Ndërsa nëse jemi prezent, e kanë më të vështirë të na kundërshtojnë, sepse nuk kanë argumente”, ka deklaruar deputetja demokrate.
Zhupa ka bërë të ditur gjithashtu se qytetarët në zonat që ajo përfaqëson janë shprehur pro pjesëmarrjes së PD-së në komisione, duke shtuar se edhe një sondazh publik do të nxirrte të njëjtin rezultat.
“Votat nuk i kemi, por e kemi zërin tonë aty dhe kjo ka rezonancë si te qytetarët, ashtu edhe te ndërkombëtarët, përmes propozimeve konkrete”, ka theksuar ajo.
Në fund, deputetja e PD-së ka nënvizuar se opozita duhet të ndjekë një strategji shumëdimensionale, duke kombinuar protestat me pjesëmarrjen institucionale dhe përgatitjen për zgjedhjet.
“Ne duhet të jemi shumëdimensionalë: edhe protesta, edhe reforma, edhe analiza, edhe zgjedhje. Jemi parti me kapacitete njerëzore dhe intelektuale dhe nuk kemi pse të ndjekim vetëm një rrugë duke braktisur të tjerat”, ka përfunduar Zhupa.
