Kryeministri Edi Rama ka ushtruar presion të hapur ndaj Gjykatës Kushtetuese, vetëm pak ditë para vendimit që pritet për çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në deklarata publike, Rama i ka bërë thirrje Gjykatës që “të mos i lërë një njollë turpi Shqipërisë”, duke paralajmëruar se në të kundërt do të ndërmerren masa të ashpra.
Sulmi i kryeministrit ndaj Kushtetueses është shoqëruar me akuza të forta për kërkesat e gjyqtarëve për rritje pagash, të cilat Rama i cilësoi si përpjekje për t’u imponuar mbi parlamentin dhe qeverinë. Sipas tij, gjyqtarët kërkojnë rritje nga 1800 deri në 3000 euro, një kërkesë që e quajti “absurde”.
Kjo dalje publike e Ramës është interpretuar si një përpjekje për të rritur presionin politik ndaj Gjykatës Kushtetuese, në një moment kritik kur pritet vendimi për Ballukun. Retorika e përdorur, sipas kritikëve, përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së drejtësisë.
Gjatë gjithë ditës, Rama ka vijuar deklaratat kundër sistemit gjyqësor, duke lavdëruar SPAK-un dhe duke sulmuar Kushtetuesen, çka ka ngritur shqetësime për ndërhyrje të hapur të pushtetit ekzekutiv në vendimmarrjen e gjyqësorit.
Situata politike duket e tensionuar, ndërsa presioni ndaj institucioneve të drejtësisë po rritet, në prag të vendimeve që mund të kenë pasoja të forta për qeverinë.
