Një grup kriminal i përfshirë në shitjen e armëve të zjarrit në Tiranë është goditur nga policia pas një hetimi dy-mujor. Operacioni i koduar “Lockdown” çoi në arrestimin e katër shtetasve, të cilët dyshohet se trafikonin armë kryesisht nga Kosova drejt kryeqytetit, me qëllim shitjen.
Të arrestuarit janë Gloris Nezaj, Rezarto Rumi, Kelvin Caushi dhe Ardjan Caushi, banues në Tiranë. Sipas hetimeve, armët silleshin në Shqipëri, modifikoheshin dhe magazinoheshin në zona të ndryshme të Selitës.
Gjatë kontrolleve në ambientet e përshtatura dhe banesat e tyre, policia sekuestroi 8 armë zjarri, konkretisht 5 pistoleta dhe 3 automatikë, si dhe pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak. Po ashtu u sekuestruan 3 radio të ngjashme me ato të policisë, një jelek multifunksional dhe 9 telefona celularë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
