Rrezik për drejtuesit: Rrëshqitje gurësh në aksin Gollobordë–Maqedonia e Veriut, pa asnjë ndërhyrje prej dy javësh

Data

Një situatë e rrezikshme vijon prej më shumë se dy javësh në aksin rrugor që lidh zonën e Gollobordës me pikën kufitare të kalimit Trebisht, duke rritur ndjeshëm rrezikun për drejtuesit e mjeteve dhe banorët e zonës.

Rrëshqitje gurësh dhe inertesh janë regjistruar në këtë segment rrugor, i cili përbën lidhjen kryesore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për banorët e Gollobordës në Bashkinë Bulqizë. Gurët ndodhen ende në mes të rrugës, pa asnjë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse, pavarësisht kalimit të më shumë se dy javëve nga rënia e tyre.

Pamjet janë filmuar vetëm pak metra larg pikës kufitare të Trebishtit, çka e bën situatën edhe më shqetësuese, pasi rruga përdoret çdo ditë nga automjete dhe qytetarë që kalojnë kufirin.

Kjo rrugë është jetike për komunitetin e Gollobordës, pasi përmes saj sigurohet furnizimi me ushqime dhe karburant, si dhe kryhen shërbime shëndetësore, duke transportuar të sëmurët drejt spitaleve të Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut.

Banorët shprehen se kjo është e vetmja rrugë funksionale për ta, pasi aksi që lidh Gollobordën me Bulqizën është tepër i amortizuar dhe pothuajse i pakalueshëm për qarkullim normal. Sipas tyre, mungesa e ndërhyrjes për pastrimin e rrugës përbën një rrezik të vazhdueshëm për aksidente dhe pengon seriozisht lëvizjen e mjeteve dhe qytetarëve.

Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet përgjegjëse për pastrimin e aksit dhe garantimin e sigurisë rrugore, përpara se situata të përkeqësohet apo të ndodhin ngjarje të rënda.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related