Shtet paralel kundër SPAK-ut/ Bardhi: Emërime për të mbyllur gojë

Data

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku se po ndërton një “shtet paralel” me qëllim pengimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e bashkëpunëtorëve të saj nën hetim.

Në një reagim publik, Bardhi shprehet se Balluku, e pandehur dhe nën hetim nga SPAK për 11 tendera me vlerë rreth 1.1 miliardë euro, po përdor pushtetin politik për të blerë heshtjen e personave të përfshirë në afera korruptive. Sipas tij, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese zvarrit vendimmarrjen dhe Kuvendi shërben si alibi institucionale, Balluku po shfrytëzon kohën për të konsoliduar kontrollin mbi institucione kyçe.

Bardhi sjell si shembull këmbënguljen për emërimin e Viola Haxhiademit në krye të KESH-it, pavarësisht se ajo është person nën hetim dhe e implikuar, sipas opozitës, në afera të rënda energjitike. Ai thekson se KESH është një nyje strategjike me qarkullim qindra milionë euro fonde publike dhe vendosja e një personi nën hetim në krye të këtij institucioni përbën akt të pastër kontrolli politik.

Një tjetër rast që Bardhi e cilëson shqetësues është tentativa për t’i dhënë Irma Drobonikut një mandat 5-vjeçar në krye të Komisionit të Prokurimeve Publike. Sipas tij, edhe kjo është një lëvizje e qëllimshme, pasi KPP filtron dhe kontrollon çdo procedurë tenderimi në vend dhe emërimi afatgjatë i një personi nën hetim synon garantimin e mbrojtjes politike për rrethin e ngushtë të Ballukut.

Sipas Bardhit, këto veprime nuk janë të rastësishme, por vijnë në një moment kur hetimet e SPAK po thellohen dhe pas arrestimit të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor, Ervis Berberi, i cili mund të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai thekson se strategjia e qeverisë është blerja e kohës dhe ndërtimi i mekanizmave për të bllokuar hetimet.

“Ky është ndërtim i qëllimshëm i një shteti paralel për të penguar drejtësinë dhe për të mbytur SPAK-un. Në çdo demokraci kjo quhet kapje e shtetit”, deklaron Bardhi, duke shtuar se çdo ditë heshtjeje institucionale përbën bashkëpunim me korrupsionin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related