Protesta e zhvilluar mbrëmjen e sotme përpara Kryeministrisë u shoqërua me pankarta dhe mesazhe të drejtpërdrejta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ku qytetarët shprehën hapur revoltën ndaj korrupsionit, varfërisë dhe abuzimit me fondet publike.
Në mesin e protestuesve u panë pankarta me mbishkrime si: “Rama largohet, Shqipëria shpëtohet”, “Stop grabitjes së fondeve publike”, “Vodhët votat, por s’na vodhët shpresën”, si edhe mesazhe që akuzonin qeverinë për zhvatje të përditshme të qytetarëve dhe për shkatërrimin e së ardhmes së fëmijëve.
Në disa pankarta, protestuesit denonconin atë që e cilësojnë si pasurim të paligjshëm të pushtetit, duke theksuar se “hajnat po vjedhin çdo ditë të ardhmen e fëmijëve tanë”, ndërsa thirrjet për largimin e kryeministrit u përsëritën gjatë gjithë tubimit.
Sipas pjesëmarrësve, mesazhet në pankarta janë pasqyrim i një pakënaqësie të thellë qytetare ndaj qeverisjes aktuale, mungesës së drejtësisë dhe varfërimit të vazhdueshëm të shoqërisë. Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, nën masa sigurie, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave në ditët në vijim.
