Këshilli i Lartë Gjyqësor ka refuzuar me shumicë votash ngritjen e një komisioni për shqyrtimin e çështjes së gjyqtares Irena Gjoka, duke ia kaluar dosjen Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Vendimi vjen pavarësisht fakteve të bëra publike mbi një dënim penal të padeklaruar në Greqi, që sipas ligjit përbën shkak për ndalimin e ushtrimit të detyrës.
Materialet i janë përcjellë KLGJ-së nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila kërkonte vlerësimin nëse gjyqtarja ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin, për shkak të mosdeklarimit të një vendimi penal të vitit 2005 nga drejtësia greke, lidhur me përdorimin e një vize të falsifikuar.
Në vend që të marrë përgjegjësinë institucionale dhe të ngrejë një komision hetimor, KLGJ zgjodhi rrugën e shmangies, duke ia kaluar çështjen ILD-së. Ky veprim ka ngritur dyshime të forta për mbrojtje politike dhe mungesë vullneti për të zbatuar standardet që u kërkohen gjyqtarëve të tjerë.
Denoncimi publik për rastin u bë nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili publikoi edhe dokumente të drejtësisë greke. Skandali shpërtheu pas vendimeve të firmosura nga Gjoka në dosjen “Partizani”, ku Berisha është i pandehur për korrupsion, duke shtuar akuzat se sistemi i drejtësisë po përdoret si instrument politik.
Sipas dokumentacionit gjyqësor të Janinës, gjyqtarja ishte dënuar me burg dhe gjobë, dënim që nuk rezulton i pasqyruar në formularin e dekriminalizimit. Për këtë arsye, SPAK ka nisur gjithashtu një hetim penal për dyshime mbi falsifikimin e deklarimit.
Vendimi i KLGJ-së për të mos vepruar drejtpërdrejt shihet si një precedent i rrezikshëm që minon besimin publik te drejtësia dhe forcon perceptimin se për disa persona ligji zbatohet, ndërsa për të tjerë anashkalohet. Në vend të transparencës dhe përgjegjësisë, institucioni zgjodhi heshtjen dhe zhvendosjen e përgjegjësisë, duke e thelluar edhe më tej krizën e besimit në sistemin e ri të drejtësisë.
