Kryeministri u është drejtuar fermerëve në Divjakë me mesazhin se nuk duhet të presin mbështetje direkte nga buxheti i shtetit, por të përpiqen vetë për të përthithur fondet europiane dhe kreditë e vëna në dispozicion. Sipas tij, financimi nuk vjen automatikisht, por vetëm nëse fermerët paraqesin projekte të detajuara dhe plotësojnë kushtet e kërkuara.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se fondet ekzistojnë, përfshirë kreditë me garanci sovrane dhe linjat financiare të institucioneve bankare, por mungesa e aplikimeve lidhet me mungesën e projekteve konkrete. Ai nënvizoi se pa dokumentacion dhe plane fitimi, bankat nuk japin para.
Për mungesën e interesit dhe aplikimeve, kryeministri kritikoi edhe pushtetin vendor, duke kërkuar që bashkitë të jenë më aktive në ndihmën ndaj fermerëve për përgatitjen e dosjeve dhe aplikimeve për kredi. Sipas tij, bashkitë duhet të krijojnë struktura mbështetëse apo bashkëpunime për të lehtësuar aksesin në financime.
Nga ana tjetër, Rama paralajmëroi fermerët për sfidat që sjell integrimi në Bashkimin Europian, duke theksuar se tregu europian kërkon standarde të larta sigurie ushqimore. Ai tha se nëse këto standarde nuk plotësohen, produktet nuk do të lejohen të shiten, as në tregun vendas, sapo Shqipëria të bëhet pjesë e tregut të BE-së.
Takimi u shoqërua edhe me pakënaqësi nga fermerët, të cilët ngritën shqetësime për importet që, sipas tyre, po dëmtojnë prodhimin vendas. Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë shprehën shpresën se fondet e bllokuara për bujqësinë nga Bashkimi Europian do të zhbllokohen në muajt në vijim, pas dyshimeve për abuzime që kanë penguar financimet prej vitesh.
Dëgjesat me fermerët pritet të vijojnë në qarqe të tjera, ndërsa mbetet e paqartë nëse thirrjet për projekte dhe standarde do të shoqërohen me mbështetje reale për një sektor që prej vitesh përballet me mungesë fondesh dhe konkurrencë të pandershme.
