Një delegacion i EUROPOL-it ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është konfirmuar bashkëpunimi me Policinë e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Takimi u mbajt në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit operacional dhe strategjik mes palëve.
Delegacioni i EUROPOL-it përbëhej nga përfaqësues të Qendrës për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, të cilët theksuan rëndësinë e hetimeve të bazuara në inteligjencë dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale me autoritetet shqiptare dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Gjatë diskutimeve, u trajtuan prioritetet e përbashkëta në goditjen e grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë dhe lidhje ndërkombëtare, si dhe koordinimi i hetimeve paralele, hetimet pasurore dhe mbështetja teknike në çështje konkrete. Një tjetër fokus ishte përfshirja e Policisë shqiptare në planet operacionale europiane për vitet 2026–2027.
Palët diskutuan gjithashtu bashkëpunimin në luftën kundër trafikimit të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore, emigracionit të paligjshëm dhe krimit mjedisor, fusha që mbeten shqetësuese në nivel rajonal dhe europian.
Në përfundim të takimit, Policia e Shtetit ritheksoi angazhimin për të bashkëpunuar ngushtë me strukturat europiane dhe për të vënë në dispozicion kapacitetet e saj në nismat e përbashkëta kundër krimit të organizuar. Vizita e EUROPOL-it shihet si pjesë e një bashkëpunimi të zgjeruar përballë rrjeteve kriminale që veprojnë përtej kufijve.
